Tirana, megjithëse vazhdon të jetë një qendër tërheqëse për popullsinë nga rrethet e tjera të vendit, po përballet me një rënie shqetësuese të numrit të lindjeve. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, lindjet në qarkun e Tiranës u ulën me 8%, një shifër kjo gati dyfishi i rënies mesatare kombëtare prej 4.7%, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT).
Kryeqyteti po shndërrohet në një mjedis gjithnjë e më sfidues për familjet e reja. Rritja e ndjeshme e çmimeve të apartamenteve dhe qirave, bashkë me kostot e larta të jetesës dhe shpenzimet në rritje për familjet me fëmijë, po e vështirësojnë krijimin dhe zgjerimin e tyre, pavarësisht mundësive më të shumta për punësim dhe të ardhura që ofron Tirana.
Tirana, motori kryesor i rënies demografike
Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-shtator 2026, në Tiranë u regjistruan 647 lindje më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo e vendos kryeqytetin si përcaktuesin kryesor të tkurrjes së lindjeve në të gjithë Shqipërinë. Në nivel kombëtar, u regjistruan gjithsej 16,016 lindje, 789 më pak se një vit më parë. Kontributi i Tiranës në këtë ulje ishte rreth 82%, ndërsa në 11 qarqet e tjera së bashku, lindjet u pakësuan me vetëm 1.6%.
Tirana mbetet epiqendra ekonomike dhe e punësimit në vend, duke përqendruar investimet, bizneset dhe një pjesë të madhe të të rinjve që migrojnë nga qarqet e tjera. Megjithatë, përfitimet nga mundësitë ekonomike po errësohen nga kostoja gjithnjë e më e lartë e jetesës, duke krijuar një çekuilibër që ndikon drejtpërdrejt në demografi.
Strehimi dhe kostot e fëmijëve, sfida kryesore
Pengesa më e madhe për çiftet e reja është strehimi. Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me ritme shumë më të shpejta se të ardhurat nga puna, duke e bërë blerjen e një banese gati të pamundur pa një kredi të konsiderueshme ose ndihmën financiare familjare. Edhe qiratë paraqesin një barrë të madhe për çiftet që kërkojnë të jetojnë në mënyrë të pavarur. Një analizë e mëparshme tregon se raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të disponueshme për frymë në Shqipëri është rritur me 76.3% gjatë periudhës 2015–2025, duke e bërë blerjen e një banese dukshëm më të vështirë se një dekadë më parë.
Përveç strehimit, familjet e reja përballen edhe me shpenzime të larta për kujdesin ndaj fëmijëve, si çerdhet dhe kopshtet private, transporti dhe shërbimet e tjera të përditshme. Rritja e distancave dhe kohës së udhëtimit në Tiranë e bën organizimin e jetës familjare më të kushtueshëm dhe të vështirë, sidomos kur të dy prindërit punojnë. Këto presione ekonomike shpesh shtyjnë vendimin për të pasur fëmijën e parë ose kufizojnë numrin e fëmijëve. Një çift që duhet të përballojë një kredi të lartë apartamenti, qiranë dhe shpenzimet e përditshme e ka më të vështirë të planifikojë zgjerimin e familjes.
Ndonëse pesë qarqe, si Dibra dhe Kukësi, shënuan rritje të lehtë të lindjeve në të njëjtën periudhë, rënia e shpejtë në Tiranë mbetet zhvillimi më shqetësues. Nëse kjo prirje vazhdon, përqendrimi i popullsisë dhe aktivitetit ekonomik në kryeqytet nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kompensuar rënien e lindjeve. Për familjet e reja, mundësitë e punësimit dhe niveli i pagave janë vetëm njëra anë e medaljes; ana tjetër është sa u mbetet nga të ardhurat pasi paguajnë strehimin dhe shpenzimet thelbësore të jetesës.
BurimiMonitor



