Kryeministri Edi Rama dha një prononcim të shkurtër për media në ditën e dytë të mbledhjes së Komunitetit Politik Evropian që organizohet në Irlandë.
Kreu i qeverisë shqiptare iu përgjigj një sërë pyetjesh, nga ndihma që Bashkimi Evropian po i jep Ukrainës dhe marrëvdhëinet e Evropës me Rusinë, deri te investimi i Jared Kushner në ishullin e Sazanit.
“Pyetja nuk është kujt mund t’i besojmë, por çfarë është në interesin tonë në BE. Ka qenë një gabim i madh delegimi i diplomacisë te të tjerët dhe fokusimi vetëm te mbështetja ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur një kanal të hapur komunikimi me Rusinë. Na pëlqen ose jo, Rusia është aty dhe nuk do të zhduket. Ndërkohë që mbështesim Ukrainën, duhet edhe të bisedojmë. Ky është një vend demokratik dhe është i rrethuar nga rregulla dhe ligje. Ajo që ndodh është pjesë e të qenit një vend demokratik. Në Irlandë ndihem i mirëpritur. Kishte edhe disa motra e vëllezër nga Shqipëria që më mirëpritën në disa mënyra të ndryshme, por ky është një vend demokratik. Çfarë mund të bëjmë?”, tha Rama.
Për sa i përket projektit të dhëndrit të Trump në Sazan, Rama theksoi se ende nuk ka një marrëveshje dhe se negociatat po vijojnë. “Nuk kam asnjë marrëveshje me Kushnerin. Ai është një nga shumë investitorët që kanë shprehur interes për vendin tonë. Bisedimet me grupin e tij të punës vijojnë. Nëse ju pyes se çfarë dini, do të thoni se bëhet fjalë për një ishull në Shqipëri, i cili i është dhënë atij. Nuk ka ende një marrëveshje dhe nuk ka asnjë ishull të shitur apo kërkesë për ta blerë. Është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet e tillë”, tha Rama.



