Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë thirrje të hapur drejtuar liderëve të Bashkimit Europian që të mos e lënë Malin e Zi të presë më, duke argumentuar se ky vend i ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për anëtarësim. Deklarata u bë gjatë një vizite zyrtare në Irlandë, vend që aktualisht mban Presidencën e Këshillit të BE-së.
Merz iu referua takimit të fundit të Komunitetit Politik Europian, të mbajtur pikërisht në Mal të Zi, si dëshmi e gatishmërisë së këtij vendi. "Mali i Zi është gati për t'u anëtarësuar në BE, ata kanë përmbushur çdo detyrim. Ndërkohë, ne s'kemi pranuar asnjë vend të ri në BE prej 13 vitesh. E kemi thënë që BE-ja është e hapur për vendet europiane që plotësojnë kriteret e Kopenhagenit. Mali i Zi po e bën këtë. BE-ja gjithashtu duhet të mbajë fjalën e vet", deklaroi kancelari gjerman.
Bllokimi kroat dhe sfidat e procesit
Pavarësisht objektivit zyrtar të Malit të Zi për t'u bërë anëtar i BE-së në vitin 2028, procesi has pengesa konkrete. Kroacia ka vendosur kohët e fundit veton mbi njërin prej kapitujve të negociatave, duke bllokuar mbylljen e tyre. Kjo situatë ka nxitur Merzin të paralajmërojë se do të angazhohet personalisht me liderët europianë gjatë vjeshtës për të shtypur ritmin e zgjerimit.
Kancelari gjerman theksoi se, bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron, ka hartuar propozime konkrete për integrim gradual të vendeve kandidate. "Do ta diskutojmë këtë brenda Këshillit të BE-së. Kërkon unanimitet, por kam bindjen se do t'i bind kolegët të shtyjmë para këtë proces. Kjo është arsyeja pse kolegu im Macron dhe unë kemi bërë propozime konkrete", shtoi Merz.
Irlanda premton punë me të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë
Kryeministri irlandez Michael Martin u shpreh plotësisht dakord me qëndrimin gjerman, duke garantuar se Presidenca irlandeze e BE-së do të synojë mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave me Malin e Zi gjatë mandatit aktual. Martin nënvizoi se suksesi i Malit të Zi do të shërbejë si model dhe nxitje edhe për vendet e tjera aspirante.
"Besojmë se ajo që po arrijmë me Malin e Zi të jetë një mesazh i qartë edhe për këdo tjetër që do të bëhet pjesë e BE-së. Ne do të punojmë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor", tha Martin, duke përfshirë shprehimisht edhe Shqipërinë në këtë premtim. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Shqipëria ka hapur të gjithë grupet e kapitujve të negociatave dhe synon anëtarësimin brenda dekadës aktuale.
Mbështetja e Gjermanisë dhe Irlandës për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor rrit presionin ndaj shteteve skeptike brenda bllokut, duke i dhënë shpresë rajonit se perspektiva europiane mbetet reale dhe e afërt.
BurimiJava News


