Shqipëria po përballet me një situatë të rëndë emergjence nga zjarret, me 26 vatra të regjistruara në të gjithë territorin. Sipas bilancit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes të publikuar rreth orës 21:00, 8 vatra mbeten ende aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është vendosur nën kontroll të plotë. Shteti ka mobilizuar 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë të specializuar të tipit Air Tractor.
Operacionet në terren — nga Puka te Vlora
Në zonën Gojan–Gjegjan të bashkisë Pukë, ku terreni malor vështirëson ndërhyrjet, po operojnë 6 mjete zjarrfikëse, 29 efektivë profesionistë, 40 ushtarakë, 50 forca bashkiake dhe 50 vullnetarë, të mbështetur nga 2 helikopterë. Falë koordinimit të ngushtë të forcave, janë shpëtuar 2 banesa të banuara dhe janë evakuuar banorë nga zonat më të rrezikuara.
Në Shtanë të Mirditës, operacionet po fokusohen në mbrojtjen e perimetrit të banuar. Katërdhjetë forca bashkiake dhe 30 ushtarakë, të pajisur me 2 mjete zjarrfikëse dhe të mbështetur nga 2 helikopterë, po mbajnë linjën mbrojtëse. Policia e Shtetit ka përfunduar evakuimin e banorëve në rrezik, ndërkohë që në vendngjarje ndodhet edhe një ekip mjekësor me ambulancë.
Në Dukat të Vlorës situata kërkon ndërhyrje ajrore të vazhdueshme — 2 avionët Air Tractor janë duke operuar mbi shpatin e malit ku flakët po ngjiten lart. Në terren janë angazhuar 100 efektivë ushtarakë, 9 zjarrfikës dhe 8 punonjës të shërbimit pyjor. Autoritetet njoftojnë se banesat nuk janë në rrezik direkt për momentin.
Në Dajt të Tiranës, 30 ushtarakë, 13 zjarrfikës dhe 9 forca të Agjencisë së Mbrojtjes Civile, të mbështetur nga 1 helikopter, kanë arritur të izolojnë një pjesë të vatrave. Në Bërshi të Klosi po punojnë 5 zjarrfikës, 10 forca lokale dhe 30 ushtarakë, gjithashtu pa rrezik për banesat e zonës.
Rezultate pozitive në disa zona kritike
Ndërhyrjet e orëve të fundit kanë dhënë fryte në disa pika ku situata kishte qenë shqetësuese. Vatra e Farkës është vënë tërësisht nën kontroll, ndërsa zjarri në Mal Milot është shuar plotësisht. Zonat e Lufajt, Kalivaçit dhe Malit të Çikës vazhdojnë të monitorohen me kujdes maksimal për të parandaluar çdo mundësi riaktivizimi.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se të gjitha strukturat operacionale do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë natës. Vendi po përballet me një nga situatat më sfiduese të këtij viti për sa i përket zjarreve, dhe autoritetet theksojnë se angazhimi i forcave do të vijojë pa ndërprerje deri në normalizimin e plotë të gjendjes.
BurimiRTSH



