Situata e zjarreve në Shqipëri mbetet shqetësuese. Deri në orën 17:00 të ditës së sotme, nga autoritetet janë regjistruar gjithsej 23 vatra zjarri, prej të cilave 13 janë ende aktive, ndërsa 2 të tjera ndodhen nën monitorim të rreptë. Për t'u përballur me këto forca të zjarrit, janë mobilizuar 317 efektivë operacionalë të mbështetur nga 32 automjete zjarrfikëse, të koordinuar nga strukturat lokale dhe ato kombëtare.
Forcat e Armatosura në terren dhe nga ajri
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Forcat e Armatosura janë angazhuar me 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse ushtarake, 2 helikopterë dhe 2 avionë të tipit "Air Tractor" të Forcës Ajrore. Ndërhyrja nga ajri po luajnë rol kyç sidomos në zonat me terren të thyer dhe të paarritshëm nga forcat tokësore, ku rreziku i përhapjes së flakëve është shumëfish më i lartë.
Ndër vatrat më kritike spikaste ajo në Malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës. Aty operojnë 50 efektivë të Forcave të Armatosura së bashku me dy helikopterë. Vatra tjetër e rëndë, ajo Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër, raportohet të jetë vënë nën kontroll.
Gurë-Lurë i Dibrës — fronti më i ashpër
Zona e Gurë-Lurës në Dibër mbetet fronti me angazhimin më masiv. Rreth 200 hektarë pyll pishe janë djegur deri tani, dhe në zonë po punojnë afërsisht 240 forca të shumëllojshme, të mbështetura nga dy avionë "Air Tractor" dhe mjete të rënda për hapjen e korridoreve mbrojtëse kundër flakëve.
Vatra të tjera aktive po menaxhohen në Qafë Helmes, në kufijtë e Bulqizës dhe Dibrës, si dhe në Abaze të Krujës, Lufaj të Mirditës, Fushë-Lajë të Pukës, Dardhë të Librazhdit. Janë raportuar gjithashtu pika aktive në qarqet e Gjirokastrës — konkretisht në Sotirë, Libohovë dhe Memaliaj — si dhe në Vlorë, me vatra në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, "situata po menaxhohet me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara". Autoritetet theksojnë se mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbetet prioriteti absolut. Monitorimi i vazhdueshëm i ecurisë po kryhet përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave, të cilat qëndrojnë në gatishmëri të plotë.
BurimiRTSH



