Në Abaz të Krujës, për herë të parë do të prodhohet një verë e veçantë që nuk është bërë kurrë më parë nga kantinat tona.Bëhet fjalë për verën Amarone. Kjo verë është ndryshe, pasi lëngu i saj përgatitet nga rrushi i thatë dhe jo i freskët. “Rrushi i thatë për verën time Amarone është pothuajse gati. Speciale!” Vendimi i Bujarit për të nxjerrë këtë lloj vere erdhi si një dëshirë e tij. Enologu i kërkoi të bënte investime teknologjike, por mungesa e parave e çoi Bujarin drejt një zgjidhjeje, ai përdori serën e tij, ku mbillte perimet, dhe vari rrushin Merlot. Enologu më tha: ‘A do të bëjmë diçka të bukur? Më duhet një magazinë me ventilim dhe makineri tharjeje dhe është speciale.’ ‘Faleminderit, vëlla, s’kam mundësi. E lëmë me kaq.’ Por mendja më rrinte aty. Erdha në serë, hoqa perimet dhe shkova në vresht. Vara rrushin horizontalisht, ashtu zinte shumë hapësirë. Më pas i vendosa vertikalisht. Doli bukur, thashë me vete, hijezimi, ajrosja janë. ‘OK’, tha enologu, ‘e provojmë.’” Kjo verë, nëse përgatitet sot, do të konsumohet pesë vite më pas. Mesa duket, gota e parë do të konsumohet atëherë kur Shqipëria të jetë pjesë e BE-së. “Normalisht, kjo do të jetë verë premium, pasi ka shumë kosto.” thotë Bujari. Bledi Laçi, enolog shpjegon: Këtu rrushi merr nota dhe aroma të frutave të ndryshme të thata, merr shije reçeli ose marmalate. Bujarit kjo verë do t’i kushtojë jo vetëm në kohë, por edhe në kosto. Për të prodhuar 1 litër verë nga rrushi i freskët, duhen 1 kilogram e 200 gramë rrush, ndërsa për të prodhuar të njëjtën sasi vere duhen 5 kilogramë rrush të thatë. Bëjeni vetë krahasimin dhe, detyrimisht, kjo verë do të kushtojë 5 herë më tepër. “Duhet 5 kg rrush i pa kalbur dhe i pastër që të arrijmë tek një shishe verë. Më shumë se 100 euro shishja, kjo verë do të shkojë.”, thotë enologu Laçi.

Ushqime
