Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, në një intervistë, ku ka folur për projektet që vijojnë në qytet dhe njësitë administrative, për marrëdhënien e bashkisë me qytetarët, për problematikat e pronësisë, si dhe për një qasje e re ndaj transparencës institucionale, në një kohë kur qeveria ka vendosur në qendër aksesin e drejtpërdrejtë të publikut në dokumentet zyrtare përmes “Pasqyrës së Flamingos”.
1. Z. Arbana, Shqipëria po hyn në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit europian. Si e shihni këtë moment dhe rolin e qeverisë shqiptare në këtë rrugëtim?
Mendoj se është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe besoj se vendi jonë ka fatin të ketë një kryeministër si Edi Rama, me vizion dhe vendosmëri për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Mbyllja e kapitujve të parë të negociatave është një dëshmi e progresit të bërë. Europa nuk është vetëm një destinacion politik. Është standard, është mënyrë qeverisjeje dhe është përgjegjësi ndaj qytetarëve.
2. Ditët e fundit është prezantuar “Pasqyra e Flamingos”, si një platformë që synon t’u japë qytetarëve akses të drejtpërdrejtë në dokumente dhe informacion zyrtar. Si e shihni këtë mënyrë të re të komunikimit me publikun?
Transparenca ndaj qytetarëve është prioritet. Qytetari nuk duhet vetëm të dëgjojë se çfarë ka ndodhur, por të ketë mundësi të shohë dokumentin, burimin dhe ecurinë e një procesi. “Pasqyra e Flamingos” sjell pikërisht këtë ide: më shumë akses te informacioni dhe më shumë mundësi për verifikim. Është një hap i rëndësishëm drejt një marrëdhënieje më të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe qytetarëve.
3. Cilat janë punët dhe projektet që po i japin një tjetër ritëm zhvillimit të Shijak dhe njësive administrative?
Në Shijak puna vijon në disa drejtime. Po ndërhyjmë në infrastrukturën rrugore, me asfaltimin e segmenteve që kanë mbetur për t’u përfunduar në fshatra dhe në zona të ndryshme. Jemi drejt përfundimit të Qendrës Kulturore Multifunksionale, një investim që do të krijojë më shumë hapësira për kulturën, aktivitetet sociale dhe veçanërisht për të rinjtë. Ajo që ka rëndësi është që këto nuk janë thjesht punime fizike. Pas çdo rruge, çdo hapësire publike apo institucioni të ri është një mundësi më shumë për familjet, fermerët, sipërmarrësit dhe të rinjtë e Shijakut.
4. Një tjetër çështje me rëndësi për banorët është prona. Ka pasur zhvillime konkrete për banorët e njësive administrative? Ku ndodhet sot ky proces?
Është një proces shumë i rëndësishëm që po e ndjekim në bashkëpunim me ASHK-në, për banorët e Njësisë Administrative Gjepalaj. Për rreth 630 parcela janë përgatitur vendimet përkatëse, ndërsa procesi në total përfshin rreth 522 hektarë tokë bujqësore dhe rreth 1,300 parcela. Vendimet do të jenë të afishuara për verifikim nga qytetarët dhe bashkëpunimi me institucionet përkatëse vijon deri në përfundimin e procedurave dhe pajisjen e familjeve me dokumentacionin e pronësisë. Është një problematikë shumëvjeçare dhe zgjidhja e saj ka rëndësi të drejtpërdrejtë për familjet e kësaj zone.
5. Ju keni folur shpesh për kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët. Sa ndikon ky komunikim në përcaktimin e prioriteteve të bashkisë?
Ndikon shumë. Një bashki nuk mund të qeveriset vetëm nga zyra. Duhet të jesh në terren, të dëgjosh qytetarët dhe të kuptosh se cilat janë problemet që ata i konsiderojnë më urgjente. Takimet me qytetarët dhe komunikimi i drejtpërdrejtë na ndihmojnë të kuptojmë më mirë nevojat e çdo zone. Për ne, qytetari nuk është thjesht marrës i një shërbimi, por pjesë e procesit të vendimmarrjes.
6. Cili është vizioni juaj për Shijakun në këtë periudhë të re zhvillimi?
Një qytet që të zhvillohet pa humbur identitetin e tij. Një qytet me infrastrukturë më të mirë, me më shumë gjelbërim, me më shumë hapësira për kulturën dhe të rinjtë, me më shumë mundësi për sipërmarrjen dhe bujqësinë, por mbi të gjitha një qytet ku qytetarët ndihen pjesë e asaj që po ndërtohet. Shijaku është i të gjithëve, si një familje e madhe. Puna jonë është që këtë ndjesi ta kthejmë çdo ditë në rezultate konkrete.
7. Z. Arbana, ju jeni edhe prind i katër fëmijëve. Si e përjetoni nga afër ndryshimin që kanë sjellë investimet në infrastrukturën arsimore të Shijakut, duke përfshirë këtu dhe fëmijët tuaj?
Kam pesë fëmijë, tre vajza dhe dy djem dhe dy më të vegjlit ndjekin shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin në Shijak. Kjo më bën ta shoh arsimin jo vetëm si një përgjegjësi institucionale, por edhe si një çështje që e prek drejtpërdrejt çdo familje. Pas tërmetit, Shijaku ka pasur një transformim të rëndësishëm të infrastrukturës arsimore. Shkollat e reja, të ndërtuara dhe të rikonstruktuara me investimin e qeverisë shqiptare, kanë krijuar kushte shumë më të mira për nxënësit dhe mësuesit. Sot fëmijët tanë mësojnë në ambiente moderne, të sigurta dhe dinjitoze. Për mua, një shkollë nuk është thjesht një godinë e re. Është investim te fëmijët, te familjet dhe te e ardhmja e Shijakut. Dhe kur e shoh këtë ndryshim edhe përmes fëmijëve të mi, e kuptoj edhe më shumë rëndësinë që kanë këto investime.



