Kryeministri Edi Rama u përgjigj publikisht kërkesës së protestuesve studentorë për dorëheqjen e tij, të cilën ata e kanë cilësuar si kusht të panegociueshëm. Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama deklaroi se largimi i tij nga detyra do të kishte pasoja të rënda për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke i vënë shqiptarët para një zgjedhjeje të qartë: protestat apo integrimi evropian.
"Nuk është çështje e pushtetit tim, nuk kam asgjë për t'i provuar vetes më. Jo me arrogancë, por krenar. Nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave", deklaroi Rama, duke nënvizuar se nuk e shtyn asnjë interes personal të qëndrojë në krye të qeverisë.
Rama: "Shteti nuk dorëzohet përpara kësaj rrëmuje"
Kryeministri bëri me dije se negociatat me Brukselin kanë një kalendar të ngushtë dhe se çdo ndërprerje institucionale do të shkaktonte një vonesë të gjatë në procesin e anëtarësimit. "Dritarja është hapur tani, kalendari kërkon që çdo ditë të japim e të marrim — ka çdo ditë fluturime në Bruksel e anasjelltas. Kjo ndërpritet nëse unë iki", tha ai, duke shtuar se pasardhësi i tij — qoftë nga rradhët e opozitës tradicionale apo forcat politike të tjera — do të kishte nevojë për një kohë të gjatë për t'u pozicionuar sërish në këtë proces.
Rama u shpreh me tone të ashpra edhe ndaj grupeve opozitare që, sipas tij, po shfrytëzojnë lëvizjen studentore për qëllime politike: "Jeni ziliqarë, të paaftë, sepse nuk më mundni dot me zgjedhje, me fjalë — dhe ju ka ardhur dita te guri. E nisët me shishe uji e vezë dhe arritët te guri." Kjo fjali u cilësua gjerësisht si ofenduese nga mbështetësit e protestës.
Konteksti: Protesta studentore dhe tensionet politike
Protestat studentore kanë intensifikuar presionin mbi qeverinë gjatë ditëve të fundit. Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar takime me protestuesit, ndërsa nga radhët e tyre është kërkuar edhe shpërndarja e parlamentit dhe formimi i një qeverie tranzitore — kërkesa që qeveria i ka hedhur poshtë pa diskutim. Figurat publike dhe personalitetet e njohura kanë dalë gjithashtu në mbështetje të studentëve, duke dënuar dhunën ndaj tyre gjatë protestave.
Rama nënvizoi se "shteti që dorëzohet përpara kësaj nuk e merr veten për vite e vite", duke lënë të kuptohet se qeveria nuk do të bëjë asnjë lëshim ndaj kërkesave për dorëheqje. Kriza politike vijon të thellohet, ndërsa vendi ndodhet në një moment kyç të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian — sfidë që rrezikon të kompromentohot nëse qetësia institucionale nuk rikthehet sa më parë.
BurimiAlbeu



