Protesta e zhvilluar në Tiranë mori një kthesë të dhunshme kur një grup protestuesish sulmoi drejtpërdrejt Gjykatën e Apelit. Tubimi, që kishte nisur si marshim, u shndërrua në incident të rëndë institucional pasi godini e gjykatës u godit me gurë, u thyen xhami dhe dyer, dhe disa protestues depërtuan fizikisht brenda objektit.
Grupi i sulmuesve, i përbërë kryesisht nga të rinj të veshur me rroba të errëta dhe me fytyrat e mbuluara me maska, u dallua qartë nga masa e protestuesve. Sipas të dhënave të disponueshme, ata tentuan të vënë flakën disa dokumenteve dhe njoftimeve të ekspozuara pranë hyrjes kryesore të gjykatës, përpara se të thyenin derën dhe xhamat e hyrjes së publikut.
Depërtim i shkurtër brenda godinës, policia ndërhyn me gaz
Pas thyerjes së hyrjes, grupi i maskuar qëndroi brenda objektit vetëm për disa sekonda para se të tërhiqej. Ndërhyrja e shpejtë e forcave policore pengoi çdo dëmtim të mëtejshëm të ambienteve të brendshme. Policia vendosi në zonë efektivë të shumtë dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer rendin rreth godinës.
BurimiTelegrafi



