Kufiri i rrezikut të varfërisë në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë gjashtë viteve të fundit, duke arritur në rreth 29,130 lekë — apo afërsisht 315 euro — në muaj për një person në vitin 2025. Kjo shifër është mbi dyfishi i nivelit të regjistruar në 2019, kur ky kufi qëndronte në 14,232 lekë në muaj, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT).
Rritja totale gjatë kësaj periudhe arrin 104.7%, ose rreth 15,000 lekë shtesë në muaj. Përshpejtimi ka qenë veçanërisht i dukshëm pas vitit 2022, kur kufiri ishte rreth 18,800 lekë. Deri në vitin 2024 ai kishte kapërcyer 27,000 lekët, për t'u konsoliduar në nivelin aktual gjatë vitit 2025.
Pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike — nën vijën e varfërisë
Ndërkohë që pragu statistikor i varfërisë ka ecur me ritme të shpejta, të ardhurat e kategorive më vulnerabël nuk e kanë ndjekur këtë trajektore. Pensioni mesatar mujor i pleqërisë në qytet qëndron rreth 20,100 lekëve, gati 9,000 lekë nën kufirin e rrezikut. Gjendja është edhe më e rëndë në zonat rurale, ku pensioni mesatar mujor arrin vetëm 12,300 lekë — rreth 16,800 lekë nën vijën e varfërisë.
Kjo do të thotë se çdo pensionist që jeton vetëm dhe mbështetet ekskluzivisht te pensioni — qoftë në qytet apo në fshat — klasifikohet statistikisht si person në rrezik varfërie. Situata bëhet edhe më shqetësuese për familjet përfituese të ndihmës ekonomike, ku pagesa mesatare mujore në 2025 ishte rreth 7,253 lekë. Ky shumë është disa herë nën kufirin 29,130 lekësh, i cili vlen vetëm për një anëtar familje. Për familjet me shumë anëtarë, kufiri total është edhe më i lartë, duke e zgjeruar akoma më tepër distancën me mbështetjen sociale që merret.
Tregues relativ, por alarmi mbetet real
Sipas metodologjisë së INSTAT, kufiri i rrezikut të varfërisë llogaritet si 60% e medianës së të ardhurave të disponueshme të ekuivalentuara — një tregues relativ që identifikon ata individë me të ardhura dukshëm nën mesataren e popullsisë. Ky nuk është pra një kufi absolut mbijetese, por pasqyron pabarazinë e të ardhurave brenda shoqërisë.
Megjithatë, shifrat mbeten domethënëse. Shkalla e rrezikut të varfërisë për vitin 2025 ishte 19%, pothuajse e pandryshuar krahasuar me 19.2% të vitit paraardhës. Ky stanjacion tregon se, përkundër rritjes ekonomike, proporcionet e popullsisë në rrezik varfërie mbeten konstante. Hendeku i theksuar mes përfitimeve sociale dhe standardit relativ të jetesës ngre pyetje serioze mbi mjaftueshmërinë e skemave aktuale të mbrojtjes sociale, në një kohë kur kostoja e jetesës në Shqipëri ka pësuar rritje të konsiderueshme.
BurimiMonitor



