Shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) zbulojnë një paradoks të thellë social: ndërsa ekonomia shqiptare shënon rritje, familjet më të varfra po mbeten gjithnjë e më shumë jashtë çdo rrjeti mbështetjeje. Midis viteve 2023 dhe 2025, numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike ra me 21 për qind — nga 55,410 familje në vitin 2023, në 43,648 familje vitin e kaluar.
Njëkohësisht, fondi total i dedikuar për këtë skemë sociale u tkurr nga 4,8 miliardë lekë në 3,8 miliardë lekë — një rënie e barabartë me të njëjtin përqindje. E tronditshme është se qeveria zgjodhi të reduktojë numrin e përfituesve, duke mbajtur të pandryshuar masën mujore prej 7,253 lekësh, në vend që t'i drejtonte kursimet drejt rritjes së vlerës së ndihmës për familjet që mbetën në sistem.
Pagesa që nuk mbulon as faturat mujore
Banka Botërore e ka fiksuar pragun e varfërisë për vendet me të ardhura të mesme të larta — kategori ku klasifikohet edhe Shqipëria — në 8,30 dollarë në ditë për person, sipas paritetit të fuqisë blerëse të vitit 2021. Kjo vlerë i bie afërsisht 249 dollarë në muaj për person. Ndihma ekonomike shqiptare, e cila arrin 7,253 lekë — rreth 70 euro — për familje dhe jo për person, qëndron shumë poshtë këtij standardi minimal ndërkombëtar.
Me rritjen e vazhdueshme të kostove të jetesës pas pandemisë, kjo shumë nuk mbulon as faturat mujore të energjisë elektrike dhe ujit, e lëre më nevojat bazike të ushqimit, shëndetit dhe arsimit. Shqipëria ende nuk ka të përcaktuar një prag kombëtar zyrtar të varfërisë, gjë që e lë diskutimin mbi standardet sociale pa një pikë reference ligjore.
Rritja ekonomike pa rishpërndarje sociale
Organizatat financiare ndërkombëtare, mes tyre Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë rekomanduar prej kohësh që Shqipëria të forcojë mbrojtjen sociale dhe të sigurojë një rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave që gjeneron rritja ekonomike. Megjithatë, të dhënat tregojnë drejtimin e kundërt: shtresa më e cenueshme e shoqërisë jo vetëm që nuk po përfiton nga zgjerimi ekonomik, por po humbasë edhe mbështetjen e mëparshme.
Shqipëria vazhdon të mbajë njërin prej niveleve më të larta të varfërisë në Europë. Ekspertët vlerësojnë se shkurtimi i numrit të përfituesve pa kritere transparente rrezikon të lërë jashtë sistemit familje që kanë nevojë reale, sidomos në zonat rurale ku mundësitë e punësimit mbeten të kufizuara. Debati rreth efikasitetit të politikave sociale pritet të intensifikohet në prag të sezonit buxhetor, ku qeveria do të duhet të japë llogari mbi prioritetet e shpenzimeve publike.
BurimiMonitor



