Gjykata e Lartë e Beogradit ka lëshuar një urdhër-arrest dhe ka vendosur masën e paraburgimit deri në 30 ditë për Milan Radoiçiqin, i cili ka pranuar se organizoi sulmin e armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ky vendim erdhi pasi Radoiçiqi nuk u paraqit në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd më 15 nëntor, duke shkelur detyrimin e mëparshëm për paraqitje të rregullt.
Autoritetet gjyqësore serbe e justifikuan vendimin me rrethanat që sugjerojnë se Radoiçiqi mund të jetë në arrati, ndërkohë që raportimet për largimin e tij drejt Rusisë kanë shtuar paqartësitë mbi vendndodhjen. Pavarësisht këtij zhvillimi, Serbia ende nuk ka ngritur aktakuzë për rastin e Banjskës, duke deklaruar se nuk ka marrë provat e kërkuara nga Kosova nëpërmjet EULEX-it. Radoiçiqi mbetet nën hetim nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd për dyshimet që lidhen me sulmin dhe me veprat penale të furnizimit të paligjshëm me armë.
Dyshime mbi qëllimet e Serbisë
Eksperti i sigurisë Arben Dashevci e vlerëson fletarrestimin si një hap drejt drejtësisë, por shpreh dyshime të thella se Serbia do ta dorëzonte Radoiçiqin te institucionet e Kosovës, edhe nëse ai arrestohej. Dashevci lidh vendimin me ndryshimet politike në Serbi, duke sugjeruar se Radoiçiqi mund të kërkohet për vepra të ndryshme penale të kryera brenda Serbisë, përfshirë krimin dhe korrupsionin. Megjithatë, autoritetet serbe theksojnë se vendimi për paraburgim dhe urdhër-arrest lidhet specifikisht me mosparaqitjen e tij në polici në kuadër të procedurës penale për sulmin në Banjskë.
Lidhur me thashethemet për arratisjen e Radoiçiqit në Rusi, Dashevci ngre pikëpyetje mbi vendndodhjen e tij dhe thekson rritjen e pasigurisë. Ai shprehet se, edhe nëse Serbia e arreston Radoiçiqin, dorëzimi i tij te Kosova do të jetë i pamundur, pasi qeveria aktuale serbe ka të njëjtin qëndrim mohues ndaj shtetësisë së Kosovës si dhe ato të mëparshmet.
Kërkesa për presion ndërkombëtar
Mungesa e aktakuzës për Banjskën, sipas Dashevcit, tregon se Beogradi po i shmanget përgjegjësisë. Ai thekson nevojën për presion të shtuar ndërkombëtar, pa të cilin Serbia do të zvarritë çështjen sa të mundet. Dashevci kërkon që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë përgjegjësi konkrete nga Serbia dhe të vendosë masa ndëshkuese nëse përgjegjësit nuk dalin para drejtësisë, duke e parë këtë si një kusht themelor për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Juristi Blerim Burjani thekson se Serbia ende nuk e ka trajtuar sulmin në Banjskë si akt terrorist, pavarësisht se ai ishte një sulm i rrezikshëm që rezultoi me vrasjen e një polici të Kosovës. Burjani nuk e përjashton mundësinë që ndjekja e Radoiçiqit të jetë një veprim procedural, por pranon edhe ndikimin e ndryshimeve politike në Serbi, duke argumentuar se Radoiçiqi mund të mos gëzojë më mbrojtjen e strukturave politike serbe. Ai parashikon që Radoiçiqi do të tentojë të largohet nga Serbia për t'iu shmangur ndjekjes penale.
BurimiAlbeu



