Ndërsa inflacioni i ushqimeve po zbuten në shumicën e vendeve evropiane, Shqipëria ecën në drejtim të kundërt. Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 3.2% në korrik 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar — një ritëm pesë herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku shtrenjtimi shënoi vetëm 0.6%. Të dhënat e Eurostat nxjerrin në pah një hendek në rritje midis Shqipërisë dhe bllokut europian.
Tendenca është shqetësuese edhe kur shikohet trajektoria mujore. Ndërsa BE-ja zbriti nga 1% inflacion ushqimor në qershor në 0.6% në korrik, Shqipëria ndoqi rrugën e kundërt: nga 2.9% në qershor, normë e cila u ngjit në 3.2% në korrik. Kjo përshpejtim vjen edhe në një periudhë kur kursi i euros ka shënuar rënie të ndjeshme, gjendje që teorikisht do të duhej të ulte koston e importeve dhe, rrjedhimisht, çmimet e konsumit.
E pesta në Europë, lider në Ballkanin Perëndimor
Nga renditja e Eurostat-it për 36 vende europiane, Shqipëria zë vendin e pestë për inflacionin më të lartë të ushqimeve. Norma akoma më të larta u regjistruan vetëm në Turqi me 37.6%, Rumani me 4.6%, Qipro me 4.5% dhe Islandë me 4.4%. Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria qëndron e para: Kosova raportoi rritje prej 2.7%, Mali i Zi prej 2.3%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi çmimet e ushqimeve ranë krahasuar me një vit më parë — me -0.3% dhe -5.6% respektivisht. Edhe krahasuar me vendet fqinje anëtare të BE-së, situata është e pafavorshme: Bullgaria shënoi rritje prej 1.2%, Kroacia dhe Greqia patën ulje të lehtë të çmimeve.
Inflacioni i harmonizuar i përgjithshëm në Shqipëri arriti 3.4% në korrik, nga 3.2% një muaj më parë. Ushqimet dhe pijet joalkoolike dhanë vetëm prej tyre 1.09 pikë përqindje — pothuajse një të tretën e rritjes totale të çmimeve. Kjo peshë e lartë shpjegohet edhe me strukturën e shportës së konsumit: sipas INSTAT-it, ushqimet zënë 34.46% të shportës shqiptare të llogaritjes së indeksit të harmonizuar të çmimeve.
Çmime mbi mesataren europiane, të ardhura nën 43%
Paradoksi më i dhembshëm qëndron në krahasimin mes çmimeve dhe fuqisë blerëse. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri kanë tejkaluar mesataren e BE-së duke arritur në 102.9% të saj, nga 99.6% që ishin një vit më parë. Me fjalë të tjera, një shportë ushqimore me vlerë 100 euro në BE kushton mesatarisht 103 euro në Shqipëri, e matur sipas standardit të fuqisë blerëse. Ndërkohë, të ardhurat për frymë të shqiptarëve arrijnë vetëm 43% të mesatares europiane, dhe konsumi individual për frymë 48%.
Shqipëria mbetet një nga vendet me traditë bujqësore në rajon, por kjo nuk po pasqyrohet në çmimet që paguajnë konsumatorët. Buxheti familjar po shtypet gjithnjë e më shumë nga kostot e produkteve bazë, duke ngushtuar hapësirat për shpenzime të tjera. Nëse tendenca e korrikut vazhdon në muajt e fundit të vitit, 2026 rrezikon të mbyllet si viti me hendekun më të gjerë ndërmjet inflacionit shqiptar dhe atij europian për ushqimet.
BurimiMonitor



