Qeveria shqiptare ka nxjerrë për konsultim publike një projektligj që ndryshon rrënjësisht mënyrën si menaxhohet ndihma shtetërore në vend. Dy risitë kryesore janë: përfshirja e sektorëve të bujqësisë dhe peshkimit në kuadrin ligjor të subvencioneve shtetërore — të cilët deri tani përjashtoheshin shprehimisht — dhe kalimi i funksioneve të kontrollit nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore te Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas ligjit nr. 9374 të vitit 2005 që është në fuqi, rregullat e ndihmës shtetërore mbulojnë vetëm prodhimin dhe shërbimet, duke lënë jashtë bujqësinë dhe peshkimin. Drafti i ri e heq këtë kufizim dhe përcakton shprehimisht se ligji do të zbatohet "në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, përfshirë sektorët e bujqësisë dhe peshkimit". Relacioni shoqërues e quan këtë zgjerim "një element të ri të përafrimit" me legjislacionin europian, duke parashikuar gjithashtu zbatimin e rregullave të posaçme të Bashkimit Europian për ndihmën shtetërore në bujqësi dhe akuakulturë.
Konkurrenca zëvendëson Komisionin e Ndihmës Shtetërore
Ndryshimi institucional është po aq i rëndësishëm sa ai sektorial. Sot kontrolli ushtrohet nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, i kryesuar nga ministri i Ekonomisë, me katër anëtarë të emëruar nga Këshilli i Ministrave dhe me strukturën administrative brenda ministrisë. Projektligji e rishpërndan këtë rol tërësisht: "Autoriteti i Konkurrencës është autoriteti përgjegjës për kontrollin e ndihmës shtetërore në Republikën e Shqipërisë", thuhet shprehimisht në draft.
Komisioni i Konkurrencës do të bëhet organi vendimmarrës, i cili do të autorizojë skemat e ndihmës, do të vlerësojë pajtueshmërinë e tyre dhe do të ketë të drejtën të urdhërojë pezullimin, ndryshimin ose kthimin e ndihmave të paligjshme. Drafti thekson se Autoriteti, Komisioni dhe strukturat përkatëse "nuk kërkojnë ose marrin udhëzime" nga qeveria, ministritë apo çdo subjekt tjetër publik e privat gjatë shqyrtimit dhe vendimmarrjes. Relacioni e shpjegon këtë si ndarje të qartë ndërmjet funksionit të kontrollit dhe institucioneve që mund të jenë vetë dhënëse të ndihmës shtetërore — një rrezikshmëri që evidentohej edhe nga Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë i vitit 2025.
Gjoba të reja dhe afat gjashtëmujor për kalimin e kompetencave
Projektligji fut edhe një dispozitë të re për sanksionet: "Për shkeljen e detyrimeve për dhënien e informacionit nga ndërmarrjet ose grupimet e ndërmarrjeve, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba", sipas tekstit të draftit. Ndryshe nga ligji aktual — ku mungesa e informacionit lejonte vendimmarrjen mbi bazën e të dhënave të disponueshme — tani parashikohet ndëshkim i drejtpërdrejtë financiar.
Komisioni aktual i Ndihmës Shtetërore do të pushojë së vepruari sapo ligji të hyjë në fuqi. Drafti i jep gjashtë muaj kalimit të gjithë funksioneve, dosjeve, arkivit dhe bazave të të dhënave nga struktura e vjetër te Autoriteti i Konkurrencës. Relacioni sqaron se projektligji është harmonizuar pjesërisht me Rregulloren e Këshillit të BE-së 2015/1589, veçanërisht për procedurat e kontrollit dhe sanksionet procedurale. Ky reformim i kornizës ligjore vjen në një moment kur Shqipëria intensifikon procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ku uyghushmëria me acquis në fushën e ndihmës shtetërore është një ndër kushtet kryesore.
BurimiMonitor



