Sesioni i ri parlamentar nisi me një deklaratë ambicioze nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili vendosi integrimin europian në krye të axhendës legjislative. Nga foltorja e Kuvendit, Balla shpalli si objektiv të mazhorancës mbylljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027 dhe zyrtarizimin e Shqipërisë si shtet anëtar të BE-së brenda vitit 2030.
Sipas planit të paraqitur, negociatat duhet të përmbyllen para Krishtlindjeve të vitit 2027, ratifikimi nga 27 parlamentet e vendeve anëtare të kryhet gjatë vitit 2028, ndërsa anëtarësimi i plotë pritet të realizohet në vitin 2030. Balla e formuloi qëllimin me një imazh simbolik: "Ta ngremë flamurin tonë kombëtar kuqezi në qendër të Brukselit brenda vitit 2030."
Thirrje për unitet mbi interesin kombëtar
Balla theksoi se çështja e integrimit europian nuk duhet të bëhet objekt debati partizan dhe se mazhoranca e opozita kanë detyrimin të ndajnë "debatin e ditës" nga "interesi kombëtar". "Ne mund të debatojmë, por për destinacionin europian të Shqipërisë kemi linjën e përbashkët. Koha që kemi përpara na kërkon një punë intensive. Çdo ditë duhet të na afrojë me Shqipërinë në BE brenda 2030. Është përgjegjësia jonë që ta gjejnë brezat e ardhshëm", deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Balla u referua edhe parimit "BESA" — të cilin e shpjegoi si besim, empati, shërbim dhe angazhim — duke e cilësuar si udhërrëfyes të raportit të deputetëve me qytetarët. Sipas tij, mandati parlamentar nuk është thjesht legjislativ, por kërkon prezencë dhe dëgjim aktiv në terren.
Reforma zgjedhore dhe ligji i ri për Kuvendin
Dy prioritete të tjera të shpallura për sesionin e ri janë reforma zgjedhore dhe miratimi i një ligji të ri për organizimin e Kuvendit. Balla vlerësoi se reforma zgjedhore nuk mund të ndodhë pa bashkëpunimin e të gjitha forcave politike dhe nënvizoi se "roli i opozitës është i pazëvendësueshëm" në këtë proces. Gjithashtu, ai mbështeti idenë e forcimit të rolit të deputetit nëpërmjet një kuadri ligjor të ri institucional.
Balla përmendi edhe nevojën për të vazhduar reformën territoriale, të nisur që në vitin 2014, si një proces që mbetet i papërfunduar. Objektivat e paraqitura sot përcaktojnë në thelb axhendën legjislative dhe politike të mazhorancës për muajt e ardhshëm, në një periudhë kur Shqipëria ndodhet në një fazë kritike të procesit të negociatave me Brukselin.
BurimiRTSH



