Pas reagimit të ashpër të Federatës Shqiptare të Futbollit për incidentin e pretenduar në përfundim të ndeshjes Elbasani-Vllaznia, ka reaguar edhe klubi shkodran. FSHF akuzoi publikisht presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi, se kishte goditur fizikisht një prej zyrtarëve të ndeshjes, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme dhe duke paralajmëruar procedim nga organet disiplinore.
Në një deklaratë për shtyp, Vllaznia shpreh shqetësimin për mënyrën se si është trajtuar publikisht çështja, duke pretenduar se akuza ndaj presidentit të klubit është bërë publike përpara se organet kompetente të shqyrtonin provat dhe të merrnin një vendim.
Klubi shkodran thekson se dënon çdo formë dhune në futboll, por njëkohësisht kërkon respektimin e prezumimit të pafajësisë, procesit të rregullt dhe të drejtës për t’u dëgjuar.Vllaznia i kërkon presidentit të FSHF-së, Armand Duka, të ndërhyjë institucionalisht për të garantuar që çështja të trajtohet nga organet kompetente në mënyrë të pavarur dhe vetëm mbi bazën e provave dhe rregulloreve në fuqi.
DEKLARATA E VLLAZNISË – “Klubi i Futbollit Vllaznia, pas zhvillimeve që pasuan ndeshjen AF Elbasani – KF Vllaznia, e konsideron të domosdoshme t’i drejtohet opinionit publik dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit për një situatë që tashmë tejkalon atë çfarë ka ndodhur në fushën e lojës.
Pak orë pas përfundimit të ndeshjes, zyrtari i FSHF-së, z. Klajdi Kola, në një dalje televizive në RTSH, deklaroi publikisht dhe në mënyrë kategorike se Presidenti i KF Vllaznia, z. Alban Xhaferi, kishte goditur një nga zyrtarët e ndeshjes, duke e cilësuar informacionin si “lajm të konfirmuar”. Ky pretendim u bë publik përpara se organet kompetente të kishin administruar provat, dëgjuar palët dhe, mbi të gjitha, përpara ekzistencës së një vendimi nga organi disiplinor kompetent.
Akoma më shqetësues është fakti se, disa orë më vonë, vetë Federata Shqiptare e Futbollit, përmes faqes së saj zyrtare, publikoi një qëndrim ku përmend nominalisht Presidentin e KF Vllaznia dhe e paraqet akuzën ndaj tij si një fakt të kryer, ndërkohë që në të njëjtën deklaratë njofton se organet kompetente disiplinore do të procedojnë dhe do të marrin vendimet e tyre “në pavarësi të plotë”.
Pikërisht këtu qëndron shqetësimi ynë më i madh institucional. Si mund të garantohet realisht pavarësia e organit disiplinor kur institucioni të cilit ky organ i përket ka dalë publikisht, përpara vendimmarrjes së tij, duke përcaktuar autorin, veprimin dhe përgjegjësinë?
KF Vllaznia dënon pa asnjë ekuivok çdo formë dhune në futboll, ndaj arbitrave, zyrtarëve, lojtarëve apo kujtdo tjetër. Dhuna është dhe do të mbetet e papranueshme.
Por po aq e papranueshme është që një klub të ndihet vazhdimisht i dëmtuar nga vendimmarrje arbitrale që cenojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificën e tij. Pas çdo ndeshjeje qëndrojnë investimi i Presidentit dhe i klubit, puna e përditshme e stafit, mundi dhe djersa e futbollistëve dhe mbi të gjitha pasioni i mijëra tifozëve kuq e blu. Askush nuk mund të kërkojë qetësi dhe respekt nga klubet, pa garantuar në të njëjtën kohë drejtësi, përgjegjësi dhe standard të barabartë nga arbitrat dhe institucionet që i mbikëqyrin ata.
Për KF Vllaznia kjo merr një peshë edhe më të madhe, sepse flasim për një klub që përfaqëson Shkodrën, qytetin ku lindi futbolli shqiptar, dhe një nga traditat më të mëdha sportive të vendit. Respekti për këtë histori nuk kërkon privilegje; kërkon vetëm trajtim të drejtë dhe të barabartë në fushën e lojës.
Po aq fuqishëm ne mbrojmë parimin e procesit të rregullt, prezumimin e pafajësisë, të drejtën për t’u dëgjuar dhe detyrimin e institucioneve sportive për të mos paragjykuar çështje që duhet të shqyrtohen nga organet kompetente.
FSHF nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument përmes të cilit deklaratat individuale të zyrtarëve të saj marrin vulën institucionale dhe përdoren për të zhvilluar një gjykim publik ndaj Presidentit të një klubi anëtar, përpara përfundimit të procedurave përkatëse.
Federata Shqiptare e Futbollit është para së gjithash Federata e klubeve të saj anëtare. Detyra e saj është të garantojë integritetin e garës, zbatimin e barabartë të rregulloreve, paanshmërinë e administratës dhe organeve të saj, si dhe respektin institucional ndaj çdo klubi anëtar. Mbrojtja legjitime e arbitrave dhe zyrtarëve nuk mund të realizohet duke cenuar këto parime apo duke paragjykuar përgjegjësinë e një pale përpara shqyrtimit të fakteve.
Për këtë arsye, KF Vllaznia i drejtohet publikisht Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka, duke i kërkuar të ndërhyjë institucionalisht për të frenuar këtë klimë të papranueshme të gjykimit publik të iniciuar nga zyrtarë të Federatës, të garantojë që administrata e FSHF-së të respektojë kompetencat e organeve të pavarura disiplinore dhe të sigurojë që çdo çështje të trajtohet vetëm mbi bazën e provave, rregulloreve dhe procedurave përkatëse.
KF Vllaznia kërkon gjithashtu që çdo material filmik, raport zyrtar dhe provë tjetër lidhur me ngjarjen të administrohet dhe vlerësohet nga organet kompetente, duke garantuar të drejtën e klubit dhe të Presidentit të tij për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur përpara se të shpallet publikisht çfarëdo përgjegjësie.
Me shqetësimin për përshkallëzimin e një klime tensioni brenda familjes sportive, kërkojmë drejtësi, paanshmëri, etikë institucionale dhe respekt të barabartë për KF Vllaznia si klub anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit”.



