Një aksident rrugor është regjistruar këtë mëngjes në rrethrrotullimin e Plasmasit, në Lushnjë, ku janë përfshirë një automjet tip “Mercedes-Benz” dhe një motoçikletë.Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një makinë tip “Benz”, me targa AA 840 DE, dhe një motoçikletë, me targë AA 818.
Përplasja ka ndodhur në pjesën e brendshme të rrethrrotullimit. Paraprakisht dyshohet se automjeti ka goditur nga pas motoçikletën, duke bërë që drejtuesi i saj të rrëzohet në tokë dhe të pësojë dëmtime.I plagosuri është transportuar drejt Spitalit të Lushnjës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për të dokumentuar aksidentin dhe për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të tij.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tip “Benz” po merret në pyetje nga policia.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të dinamikës së aksidentit.



