Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ushtroi të hënën presion të hapur ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar thirrjen e menjëhershme të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Shefti i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, sqaroi se partia e tij është plotësisht e gatshme të votojë për presidentin e ri, duke theksuar se asnjë pengesë teknike nuk justifikon vonesa të mëtejshme.
"Votat e Aleancës janë në tavolinë për president. Thërrasim sa më shpejt të ndodhë kjo", deklaroi Tahiri, duke shtuar se AAK-ja nuk e kushtëzon mbështetjen e saj, por pret që qeveria t'i njohë vendime legjitime — mes tyre hyrjen e gazit amerikan në Kosovë dhe realizimin e investimeve të rëndësishme.
Tahiri: "Kjo është krizë politike, jo kushtetuese"
Tahiri hodhi poshtë karakterizimin e situatës si krizë kushtetuese, duke e cilësuar atë si krizë krejtësisht politike me origjinë tek LVV-ja. Sipas tij, Vetëvendosja ka interes të drejtpërdrejtë të zgjasë procesin e konstituimit, me qëllim që kryeministri në detyrë Albin Kurti të ketë mundësinë të vendosë vetë datën e zgjedhjeve të ardhshme. "Qëllimi është me u zgjat afati i konstituimit të Kuvendit në mënyrë që të krijohet kohë më shumë për Kurtin dhe ai të pozicionojë datën e zgjedhjeve kur po dëshiron", tha Tahiri.
Deputeti i AAK-së nënvizoi se emrat konsensualë për poste të rëndësishme dhe numrat parlamentarë janë tashmë të njohur nga të gjitha palët. "Kosova ka boll emra seriozë, platforma serioze mund të ndërtohet", shtoi ai, duke lënë të kuptohet se vetëm mungesa e vullnetit politik të LVV-së e mban vendin në bllokadë institucionale.
Kurti: Duhet konsensus ndërpartiak për presidentin
Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm publik. Pas takimit me përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë javës së shkuar, Kurti deklaroi se preferon një president konsensual, i cili të pasqyrojë unitetin e popullit të Kosovës dhe jo interesat e një partie të vetme politike.
Bllokada institucionale në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese edhe për aktorët ndërkombëtarë. Formimi me vonesë i Kuvendit dhe mungesa e presidentit rëndojnë kapacitetin e Prishtinës për të zhvilluar dialogun me Beogradin dhe për të avancuar integrimin europian — procese që kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi stabilitetin e gjithë rajonit. AAK, PDK dhe LDK duket se janë të bashkuara në kërkesën për shpejtim të procesit, ndërkohë që çelësi mbetet ende në duart e Vetëvendosjes.
BurimiRTSH



