Aktualitet

Zbardhet debati në selinë e PD, Marku: Duhet koherencë, do hyjmë në Kuvend apo jo? Basha: Po, por…

Ditën e djeshme pati një mbledhje në selinë blu. Sipas mediave ka pasur disa qëndrime dhe më i ashpri ka qenë deputeti i zgjedhur në Lezhë Mark Marku. Ai ka kërkuar koherencë, ka shtruar pyetjen nëse PD do futet në parlament në Shtator, ndërsa ka kërkuar që të mbahen protesta. Basha është përgjigjur që: Po, do futemi në parlament, megjithatë ka kërkuar që të mbahet një tur nëpër rrethe lidhur me çështjen e pretenduar të blerjes së votës nga PD.Ndërkaq, Bujar Leskaj ka shprehur habinë e tij se pse PD nuk ka bërë ende asnjë padi ndaj kryeministrit Rama, për çështjen e zgjedhjeve. Sot pati edhe një aludim se Rama me Bashën janë takuar në Rinas, pas takimit me eurokomisionerin Varhelyi, por kjo u hodh poshtë me një deklaratë të PD-së.

Më poshtë keni bisedën e zbardhur nga Panorama:

Lulzim Basha: Dua të falënderoj secilin nga ju. Ju keni punuar shumë fort me besimin e palëkundur në rrugën tonë, në demokracinë tonë, në vendin tonë. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë të kryer nga Rama-Doshi, ne sollëm një arritje të madhe për partinë tonë dhe për vendin tonë. Ne, pa hequr dorë nga vlerat tona, u bëmë më të fortë kudo. Tani do të luftojmë me të gjitha fuqinë tonë derisa në fitore. Fushata jonë nuk ka mbaruar, ajo vazhdon me energji maksimale.

Mark Marku: Ne duhet të jemi koherentë. Atë që themi tani, ta themi edhe në shtator. A do të hyjmë në Parlament, apo jo?

Lulzim Basha: Ne do të hyjmë në Parlament, do të shfrytëzojmë çdo mënyrë për të denoncuar masakrën elektorale që është bërë në 25 prill. Zgjedhjet janë manipuluar. Në PD ka një grup që punon 24 orë për të mbledhur të gjitha faktet për të bërë librin e zi. Juristët po e ndjekin këtë çështje në tri drejtime. Me këqyrjen e pamjeve filmike, me provat e tjera në terren dhe me ankesat që do të depozitojmë.

Mark Marku: Këto janë çështje juridike që duhet t’i ndjekin juristët e PD. Kjo nuk na hynë në punë neve. Mua lezhjanët më kërkojnë se si do t’ua mbroj votën, duan protesta. Le të ngrihemi në protesta! Ndryshe përse duhet të shkojmë në struktura, çfarë duhet t’u themi, të shkojmë të pimë raki me ta?! (Mark Marku ka marrë edhe mbështetjen e Gjekmarkajt).

Lulzim Basha: Protestat janë gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë, por puna është se duhet të dimë se ku shkojmë me protestat. Ne do të luftojmë me të gjitha mundësitë dhe mjetet e mundshme. Për momentin duhet të përfundojmë procesin e mbledhjes së fakteve që do vijojë deri të hënën e ardhshme. Kemi bërë 190 padi penale gjatë gjithë fushatës dhe do të vijojmë ta bëjmë.

Bujar Leskaj: Ne kemi çuar në SPAK çdo njeri të mundshëm, por a kemi çuar ne në SPAK Edi Ramën?

Lulzim Basha: Sigurisht që do ketë padi penale edhe në emrin e tij të drejtpërdrejtë. Nga 9 padi penale që do të depozitohen këto ditë duke filluar nga nesër (sot), ku 4 ose 5 padi janë në emër të Edi Ramës. Njëra prej tyre bën fjalë për urdhërimin nga Edi Rama për lirimin e një bande kriminale para zgjedhjeve.

Xhelal Mziu: Në Qarkun e Dibrës gjatë javës së fundit të zgjedhjeve janë shpërndarë paga lufte nga pandemia.

Aldo Bumçi: U bënë një javë nga përfundimi i numërimit edhe për kandidatët, ndërkohë nuk ka një deklaratë të qartë nga ana jonë se çfarë do bëjmë?! Do t’i njohim zgjedhjet apo jo?

Lulzim Basha: Mendoj se kam qenë shumë i qartë nga dy deklaratat që kam dhënë dy ditët e fundit. Nuk e di se çfarë paqartësie ka.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker