Vora News

Intervista/ Elton Arbana: “Shijakasit zgjodhën njerëzit e punës.”

Në një intervistë me kryetarin e bashkisë së Shijakut, Elton Arbana kemi mësuar më shumë lidhur me projektet për qytetin dhe kemi diskutuar gjithashtu në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve, ku në Shijak pjesa më e madhe e votuesve zgjodhën partinë socialiste.

Cilat ishin pritshmëritë tuaja në këto zgjedhje për banorët e Shijakut?

Rindërtimi pas tërmetit ishte një sfidë për të gjithë ne. Mbështetja e kryeministrit Rama ishte e padiskutueshme dhe e pazëvendësueshme, pasi e kam shprehur dhe herë të tjera që njerëzit duken sidomos kur je në momente të vështira. Ne patëm Ramën mbështetës të këtyre momenteve dhe puna e kryer deri tani në Shijak dhe Njësitë administrative flet vetë.

Mbi 800 banesa individuale të ndërtuara nga e para, 4 shkolla të reja, kopshti nr 1, akset rrugore ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh, përmend këtu rrugën Shijak- Durrës dhe rruga ePjezës. Sistemi i ujësjellësit tejet i amortizuar po përfundon.

27 pallate të rikonstruktuara në çdo apartament, mbi 1500 familje kanë marrë në dorë dëmshpërblimin nga Granti i rikonstruksionit. 850 familje kanë përfituar bonusin e qerasë.

Për tu rikthyer te pyetja juaj, gjithë këto punë për Shijakun janë bërë falë mbështetjes së kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare. Pritshmëritë e mia ishin të larta, sepse e di që shijakasit dinë të vlerësojnë njerëzit që punojnë. Ata e duan të ardhmen dhe e treguan këtë gjë duke votuar Partinë Socialiste për mandatin e tretë qeverisës.

Si e vlerësoni punën e ekipit tuaj në këtë fushatë?

Puna si kryetar i bashkisë së Shijakut, është një punë që e bëj me pasion dhe i shërbej çdo ditë qytetarëve për atë që më kanë besuar, për të bërë më të mirën e qytetit. Ne punojmë çdo ditë njëlloj. Ka një frymë pozitive që mundohemi të tejçojmë çdo ditë përmes punës tonë për të ardhmen e Shijakut.

Ne jemi bashkia e vetme që nuk kaluam aplikimet e dhjetorit gjatë fushatës sepse mendova që mos t’i linim hapësirë asnjë subjekti politik që të mendonte se do kishte ndikim në zgjedhje. Pavarësisht se çështja e Rindërtimit është një proces vijues, pavarësisht pandemisë apo zgjedhjeve.

Cila mendoni se është pika juaj më e fortë që keni arritur të fitoni besimin e shumë njerëzve?

Është vështirë të flasësh për veten, por mendoj se pika ime më e fortë është që i kam shërbyer të gjithëve njëlloj, pa dallim politik. Kur kemi ndërtuar shtëpi, rrugë, shkolla e kemi bërë këtë për të gjithë banorët e Shijakut dhe ky është vizioni im, të bëj më të mirën për qytetin, nuk kam kohë të merrem me militantizëm. Aty ku nuk na dëgjojnë zërin, na shikojnë punën. Puna është ajo që mbetet pas gjithçkaje.

Ku jemi aktualisht me rindërtimin dhe sa i rëndësishëm ka qenë ky proces për Shijakun?

Programi i Rindërtimit ka shënuar një kapitull të ri për Shijakun.

Synimi ynë është që brenda këtij viti të kemi sistemuar familjet e pastreha në pallatet që po ndërtohen. Janë 30 pallate që kanë nisur të ndërtohen në të gjithë Shijakun. Lagja Lugina do të bëhet nga e para me një projekt modern dhe shumëfunksional. 

Ka qenë në fakt, një periudhë e gjatë pune që do të finalizohet me dorëzimin e çelësave për shumë shtëpi të reja.

Shtëpitë do të jepen falas, shumë më të mira sesa i kishin.

Sapo kemi realizuar projektin e Pallatit të Kulturës dhe shumë shpejt do të nisim me ndërtimin e tij dhe të Xhamisë së re.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker