Histori

Histori:RAMAZAN LIMANAJI

RAMAZAN LIMANAJI

Një prej atyre që nuk la pas prona, vila apo llogari bankare, por vetëm emrin e tij të mirë!
(Kushtuar birit të Prezës dhe Krujës, Ramazan Abdyl Limanaj)
Nga Xhemal Shehu

Ramazani lindi më 6 shkurt të vitit 1945 në Prezë, në një familje të nderuar me tradita atdhedashurie, autokton dhe të vendosur në qendër të Prezës, fshati Budull, 150 m në veri të kalasë…
Ramazani lindi një vit pas masakrës së 4 shkurtit 1944, ku mbetën të vrarë 86 vetë dhe në javën e parë të muajit të tretë të Çlirimit të Atdheut, më 29 nëntor 1944. Ishte bashkëmoshatar me Republikën Popullore të Shqipërisë, (që u shpall 11. Janar 1945).
Djali i parë i Limanajve, mund ta kishte emërin “Çlirim”, por Ai kishte lindur në “Muajin e Ramazanit”, dhe zakoni e donte të merrte emrin e këtij muaji… Ramazani u rrit me erën e barotit dhe jehonën e betejave për liri e rindërtim…Por shpejt do të ulej në bankat e shkollës, ku do të mësonte se krismat që pati dëgjuar, kishin qenë pushkët e LANÇ, historinë e së cilës do ta përcillte me shumë pasion tek moshatarët e tij, në aksionet ndërtimtare të rinisë, dhe në gjithë veprimtarinë që ai realizoi në periudhën e ndërtimit socialist si edukator i Brezit të Ri e derisa doli në pension në vitin 2005…
Babai i tij Abdyli dhe bashkëshortja Qamile, sollën në jetë 7 fëmijë, ku Ramazani ishte më i madhi nga fëmijët. Pas Ramazanit erdhën në jetë fëmijët, Naxhie, Shpresa, Et’hemi, Kimete, Vera dhe më e vogla Qamile, që e pagëzuan me emrin e nënës që e solli në jetë, e cila vdiq gjatë lindjes së vajzës se vogël…
Ishte vetëm 14 vjeç, kur Ramazani mbeti jetim e do t’ju bëhej krahë babait të tij… Vetë Lemja kishte mbetur fillikat e vetme, pasi i shoqi Et’hemi kishte vdekur në moshë të re, duke lënë vetëm Abdylin si fëmijë të vetëm… Gjyshja Leme, duke patur dhe përkrahjen e pushtetit të kohës, u bë si nënë për fëmijët e Abdylit, të cilët do të integroheshin më së miri në jetë si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre…
Ramazani pasi kreu shkollat bazë në vendlindje, vazhdoi shkollën e mesme pedagogjike në vitin 1962 në moshën 17 vjeçare. Punoi 2 vite mësues në shkollën 7 vjeçare në Bubq. Vazhdoi fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Biologji-Kimi në Tiranë në vitet 1964-1968.
Pas mbarimit të fakultetit u vendos dhe punoi si zv/drejtor i shkollës së mesme në Fushë Krujë për afro një vit. Nga viti 1970 deri në vitin 1973, punoi si inspektor në Seksionin e Arsimit të rrethit Krujë, ku me përgatitjen dhe përvojën e tij pedagogjike ai do të ndihmonte mësuesit e rinj. Për tre vite me radhë, mesuesi Ramazan Limanai, do të drejtojë dhe do të zhvillojë punën metodike për aftësimin e mësuesve me njohuri e praktika pedagogjike në rrethin e Krujës, dhe gjithënjë ka qenë Kryetar i Komisionit të lëndës Biologji-Kimi për shkollat e mesme të rrethit…
Më pas punoi një vit si drejtor në shkollën e mesme “Skënderbeu” në Krujë dhe në vitin 1974 filloi punën në shkollën e mesme të përgjithshme “Shote Galica” në Fushë Krujë, një ndër gjimnazet më me emër dhe i lakmuar nga mësues e nxënës nga shkolla të ndryshme të rrethit e më gjerë, e sidomos pedagog me emër nga Tirana që qarkullonin në rrethe… Gjatë kësaj periudhe ka ushtruar detyrat si drejtor, zv/drejtor, përgjegjës për shkollën pa shkëputje nga puna. Ramazani e kuptonte më mirë se kushdo tjetër se: “Një libër, një laps, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën”. Dhe si specialist i punës metodike ai përpiqej të vinte në jetë mësimin e çmuar se:“Mësimdhënia e vetëdijes emocionale, menaxhimi i konfliktit dhe përgjegjësia sociale i nxit nxënësit të bëhen qenie njerëzore më të mira”, apo“Nëse një mësues kombinon dashurinë për punën dhe studentët, ai është një mësues i përsosur”.
Ramazani ideoi, skenoi dhe realizoi me sukses, 40-vjetorin e shkollës së mesme të përgjithshme “Shote Galica” në Fushë Krujë dhe me këtë rast përgatiti e botoi librin e këtij përvjetori në vitin 2002, e cila pasqyron brezat e drejtuesve, mësuesve dhe nxënësve gjatë 40 viteve në shkollën “Shote Galica”…Me këtë vepër, Ai dha mesazhin “Se njerëzit që nuk dinë të respektojnë të kaluarën, historinë, personalitetet e popullit, dëshmorët e kombit që krijuan vlera… do të përfundojnë me turp”.
Çdo mendje e ndritur e kohërave ka lënë trashëgiminë personale. Për disa janë veprat, për disa të tjerë aseti më i madh janë thëniet në letër… Kështu Ramazani më pas botoi dhe 3 volume me ushtrime dhe teori për kiminë e cila nevojitet për shkollat e mesme…Gëte thoshte: “Ata nga të cilët ne mësojmë, me të drejtë quhen mësuesit tanë, por jo kushdo që na mëson, e meriton këtë emër” Ndërsa mësues Ramazani e meriton plotësisht këtë titull, sepse: “ Epoka e madhe kishte nevojë për njerëz të mëdhenj”… Një ndër ata ishte mësues Ramazani!
Në vitin 1989 Ramazani është vlerësuar për punën që ka bërë në procesin e mësimdhënies dhe të edukimit me dekoratën “Naim Frashëri”, akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Por kush ka patur fatin ta njohë apo të punojë me mësues Ramazanin, arrin në konkluzionin se: Ai bën pjesë tek ato njerëz, të cilët i nderojnë titujt, dhe jo titujt ato… I tillë ishte Ramazani!
Ndërsa në kohën “e lirë” Ramazani ishte një aktivist i shkëlqyer… Komuniteti Lagjes ku jetonte, duke parë cilësitë e larta dhe vlerat e rralla moralo-politike, jo vetëm si edukator i brezit të ri, por dhe si qytetar i denjtë, i kishin besuar detyrën e Kryetarit të Frontit, atij Fronti që bashkoi popullin shqiptar pa dallim feje krahine apo ideje dhe e hodhi në luftë për çlirimin kombëtar e shoqëror të atdheut tonë të dashur… Për hir të së vërtetës, këto organizata kanë patur një autoritet të padiskutueshëm dhe kanë luajtur një rol shumë të madh në komunitet, për zgjidhjen e mjat problemeve, për çuarjen e zërit të tyre në organet e pushtetit vendor e qendror, organizonin zgjedhjet paqësisht, në mënyrë vullnetare, pa qenë nevoja e ndërhyres së pushtetit apo forcave të rendit dhe deri edhe në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme… Ishte ky komunitet që edhe pas viteve 90-të e vlerësoi dhe e votëbesoi Ramazanin, përsëri për këshilltar, në Zgjedhjet Vendore të vitit 2000, mandat që nuk e ushtroi asnjë ditë me bashkëqytetarin e tij N.M, të cilëve iu mohua padrejtësisht nga Komisioni Zonal dhe Gjykata e Rrethit shpalli inkopetencën.!?
Periudha kur drejtoi Ramazan Limanai e dhjetëra si ai, i përket periudhës së Pesëvjeçarëve Socialist, që sollën Ndryshimin e Madh. Nga zhdukja e analfabetizmit tek Akademia e Shencave; nga pisha e kandili tek digat gjigante të hidrocentraleve; nga tharja e kënetave tek bujqësia moderne; nga zija e bukës në një vend ku plotësonte nevojat e veta me drithëra buke; nga përmenda e plugu tek Kombinati i Autotraktorëve; nga kovaçhanet e punishtet artizanale, tek furrënaltat që prodhonin çelikun shqiptar; nga qerret me qe dhe karrot me kuaj tek sirena e trenit dhe anijet transoqeanike që përshëndesnin 1.221.300 punonjës që punonin në të gjitha kantieret e vendit; nga xheherat,(infermierët popullor) dhe plakat fisnike që lidhnin kërthizat e fëmijëve e shpëtonin jetë njerëzish e zhdukja e malarjes në Shqipërinë europiane që numëronte 160 spitale, prej të cilave 58 në fshat dhe 520 poliklinika dhe ambulanca; nga qyteza e qendra urbane, u ngritën 67 qytete të reja; nga pushkët me gjalmë e armët trofe të luftës, në Kombinatet e prodhimit të armëve dhe ushtrinë moderne të kohës etj etj.…Dhe natyrshëm marrim mesazhin se: Regjizorët e mëdhenj, të këtyre ndryshimeve të mëdha, ishin heronjtë e heshtur të Armatës së Madhe të Mësuesve tanë, (që nuk shitnin diploma…), me kryeregjizorin e tyre, Shqiptarin e Madh Enver Hoxha…
Sa bukur thoshte Viktor Hygoi (shkrimtar francez): “Deputetët e parë të popullit, janë nëna dhe mësuesit”. S’besoj se ka patur parasysh deputetët e sotëm, ku shumica prej tyre, mbartin ngargesa negative…
Padyshim, Hygoi kishte parasysh, portretin e skalitur të mësuesit në dhjetra personazhe të luajtur me mjeshtëri nga artistët e popullit në 13 filmat shqiptar, nga shkolla e parë shqipe tek Ndrec Ndue Gjoka, Ismet Sali Bruçaj etj, që si qindra e miliona yjet të Galaktikës, rreshtohen emrat e lavdishëm në Armatën e Përjetësisë së Kombeve…
Çdo kohë ka njerëzit e tij, ka protagonistët e vet. Por ka edhe protagonistë që i takojnë çdo kohe. Dhe këta të fundit i përkasin asaj kategorie njerëzish, që punuan aq shumë dhe, ndërkaq, nuk lanë mbas vetes as prona, as vila dhe as llogari bankare. Lanë vetëm emrin e tyre të mirë.I tillë ishte Ramazani! Në 43 vite pune la një shtëpi, një dhomë e kuzhinë në periferi të qytetit të Fushë-Krujës. E pra edhe Ramazani sfidoi moshën e vet, nuk e joshën jeta komode, u ngrit shumë më lart se ajo. Ai renditej tek armata e sfidantëve idealistë…
Ai sfidoi vetveten, nivelin e ulët arsimor e kulturor në moshën e adoleshencës dhe mori parasysh edhe plot sfida të tjera.
Ai renditet tek ata intelektualë që qëndrojnë si personazhe për të gjitha kohët: Sfidant me këmbë në tokë e i orientuar drejt punës së suksesshme.
Të tillë duhen edhe sot e në çdo kohë…
Doli në pension në vitin 2005 në moshën 60 vjeçare. Ndahet nga jeta më 01.03. 2016 në moshën 71 vjeç, duke lënë pas emrin e mirë..! I thjeshtë si Ai, i çiltër, modest, mbartës i vlerave më të larta të zonës e më gjerë, me ndjenja të theksuara humane, patriotike e me një dashuri të madhe për familjen, njerëzit e afërt, vendlindjen, Prezën e bukur, Prezën e lashtë, ku lindi dhe hodhi hapat e para të udhës së jetës.
Krijoi një familje tradicionale, mikpritëse me bashkëshorten e tij të shtrenjtë, Vasilikën, (mësuesen e shkëlqyer të gjuhë-letërsisë, sot në pension), dhe tre femijët e tij të mrekullueshëm; Almën e cila sot e kësaj dite ka hapur klinikën e saj si stomatologe shumë e njohur në qytetin e Fushë Krujës, Elionin, i cili jeton në New Yersey të Amerikës si programues kompjuterash dhe Florianin, i cili ka punur si ekonomist dhe drejtues në bankë, OSHE dhe sot punon pranë Bashkisë Krujë në Drejtorinë e Taksave Vendore, dhe shumë nipër e mbesa dhe shumë miq e shokë..! Ky ishte mësues Ramazani! Një emër i mirë që i bën nder Prezës, Krujës e më gjerë..!

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker