Histori

Histori: Njerëzit e mëdhenj si Jahja Hafizi (Kasemi) krijojnë piedestalin e tyre; e ardhmja kujdeset për statujën..!nga Xhemal Shehu

Njerëzit e mëdhenj si Jahja Hafizi (Kasemi) krijojnë piedestalin e tyre; e ardhmja kujdeset për statujën..!

Kushtuar birit të Prezës dhe Krujës, Jahja Asllan Hafizi (Kasemi)
Nga Xhemal Shehu
Jahja lindi më 4 prill të vitit 1934 në Prezë, në një familje me tradita atdhedashurie, autokton dhe të vendosur në qendër të Prezës, 100 m në jug të kalasë.
Familja Hafizi (Kasemi), ku lindi e u rrit Jahja, ishte një familje e veçantë me vlera qytetarie, me njerëz të arsimuar, aset i madh për zonën… Si e tillë ka gëzuar dhe gëzon një respekt të veçantë dhe vlerësohet me konsiderata të larta nga komuniteti i gjithë krahinës së Prezës e më gjerë… Por dhe shtëpia e Ahmet Kapidanit, (babait të Bedrijes, nënës së Jahos), ishin me emër në Ishëm…
Këtë e tregoi qëndrimi i tyre ndaj Luftës, duke e kthyer shtëpinë në bazë të saj, me strehim e me ushqime, e më pas në procesin e rindërtimit e të ndërtimit të vendit…
Babai i Jahos, Asllani, nga viti 1934 -1941, ka punuar në zyrën e rekrutimit me gradën nënrreshter në Zerqan dhe Shëngjergj. Pastaj deri në vitin 1945 për arsye shëndetësore ka qendruar në Tiranë tek halla e tij. Me gjithëse në gjendje jot ë mirë shëndetësore gjithmonë është lidhur dhe ka inkurajuar pjesmarrjen e të afëmëve të tij në aktivitete në interes të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ndërsa Jahja, bashkë me nënën e tij Bedrijen, ka jetuar në Prezë te xhaxhai i tij Ahmeti…
Asllani nga viti 1945-1949 ka punuar në Degën Ushtarake Librazhd e më pas si nëpunës në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shijak, pranë Gjendjes Civile Maminas, deri në fund të vitit 1960, ku mori pension invaliditeti.
Xhaxhai i tij, Ahmet Hafizi, me titullin “Hafiz”, marrë qysh në vitin 1924 në moshën 24 vjeçare.., ishte njeri shumë i nderuar dhe i respektuar në zonën e Prezës dhe më gjerë… Ata dhe mësuesit ishin si oaz uji në shkretëtirë. Me shembullin dhe urtësinë e tyre, zgjidhnin edhe konflikte të ndryshme… Ata ishin i vetmi burim informacioni i kohës, përgatitnin dhe i lexonin letra të bashkëfshatarëve për fëmijët e tyre në shkollë apo ushtar…
Duke qenë figura qendrore në komunitet, bien në sy të Kryetarit të Komunës së Prezës, historianit të mirënjohur Selim Shpuza, atdhetar e patriot si ai, dhe sekretar i Celulës së Parë Komuniste në Prezë, e afron Ahmetin në aktivitete në interest të lëvizjes popullore për mbrojtjen e vendit nga rreziku i pushtimit italian… “Njëmendësia lind miqësinë” thotë populli, dhe kështu Ahmet Hafizi bashkë me, Bajram Prezën, Ahmet Bojën, Ahmet Lokën, Ramazan Sinanin, vëllezërit; Isuf e Islam Shehun, Shaban Xhebexhiun e nipërit e tij Vesel e Ibrahim Xhebexhiu, Shim Shimën, vëllezërit; Zeqir e Vesel Dacin, Rexhep Çunin, Osman Bubkun etj, nën drejtimin e Selimit e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër se: “Asnjanësia në luftë është, pambuku i lagur në pushkë”, dhe bëhet pjesë e të rinjëve prezgjanë të cilët, të ndjerë të braktisur dhe të tradhtuar nga regjimi zogolljan, kryen aktin patriotik, shkuan në Durrës, në kërkim të armëve për mbrojtjen e vatanit. Pas kthimit nga Durrësi, jo vetëm pa armë, por edhe të zhgënjyer nga deklaratat “patriotike” e luftarake të njerzëve të qeverisë së Ahmet Zogut, Ahmet Hafizi e kthen shtëpinë e tij në bazë të Luftës me strehim, ushqime dhe për bazë të materjaleve domosdoshme…
Jahja nuk ka patur vëllezër dhe motra, por ai ishte rritur me fëmijët e xhaxhait të tij Ahmetit; me Syben, Shyqyriun, Gjylen dhe Kasemin, Ato i kishte “motra dhe vëllezër”, të tillë i trajtoi dhe e trajtuan deri në fund të jetës së tij…
Këtë harmoni dhe respekt të rrallë, e tregojnë të gjithë fëmijët e Jahos, pasi xhaxhait të Jahos i kanë thirrur “babë”dhe bashkëshortes së tij “nënë”, derisa sa janë ndarë nga jeta..!
Jahja i rritur dhe burrëruar në zjarrin e luftës për liri e rindërtim, me jehonën e këngëve partizane dhe ato të aksioneve vullnetare, për rindërtimin e vendit të shkatrruar nga lufta, pasi mbaron shkollën 7-vjeçare në Prezë, filloi punën në Ndërmarrjen e Grumbullimit Fushë-Krujë me detyrë shitblerës-llogaritar, nga viti 1951 deri në vitin 1955.
Në verën e vitit 1953 martohet me Hatijen, të bijën e Hasan Xhebexhiut nga Preza. Familje që i lidhi lufta, lidhën dhe konsoliduan më tej miqësinë… Vëllezërit e saj Vesel e Ibrahim Xhebexhiu si dhe xhaxhai Shaban Xhebexhiu kanë marrë pjesë në luftë me armë në dorë kundër okupatorëve dhe tradhëtarëve të vendit, ku në dhjetor të vitit 1942 Veseli bie dëshmor në Shijak.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në vitet 1955-1957, Komiteti Ekzekutiv i rrethit Krujë e caktoi llogaritar në po të njëjtën ndërmarrje. Në ndërmarrjen e Grumbullimit në Fushë Krujë.
Në jetën e tij Jahja ka plot ngjarje e kujtime të bukura, por ngjarja më e rëndësishme për jetën e tij, do të ishte data 17 Janar 1962, dita kur pranohet anëtar i PPSH-së, ëndërr e rinisë së kohës… Më pas shkallët i ngjit një nga një. …Ka qenë anëtar i Pleniumit të Komitetit të Partisë të rrethit Krujë nga viti 1967 -1973, vit kur filloi Shkollën e Lartë të Partisë, “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë. Puna e tij kudo është vlerësuar nga organizatat e partisë dhe kolektivat punonjëse.
Në vitin 1963 u emërua Kryetar i Degës së Planit. Në këto detyra spikasin cilësi e virtyte të rralla si kuadër… Gjatë gjithë kohës dallohet për punë të mirë, për këtë arsye i janë akorduar disa herë, Fletë Nderi dhe Lavdërimi.
Deri në vitin 1968 banonte në Prezë dhe punonte në Fushë-Krujë duke u përballur me vështirësi shumë të mëdha për shkak të mungesës së mjeteve të transportit. Njëkohësisht ndjek dhe shkollën e mesme (teknikumin) pa shkeputje nga puna.
Më 28.08.1969 emërohet Drejtor i Ndërmarrjes Shtetërore të Grumbullimit në Fushë-Krujë. Si drejtor, edhe pse i ri në këtë detyrë, dallohet si organizator i mirë, konseguent në kapjen dhe ndjekjen e problemeve të ndërmarrjes në lëmin ekonomik dhe organizativ. Ndërmarrja doli me detyra të realizuara në vitin 1970. Gjatë gjithë periudhës si drejtues gëzon simpatinë e masës, dëgjon zërin e saj, tregohet i gatshëm për zgjidhjen e problemeve të vetë punonjësve. Ishte i rregullt karshi vartësve dhe u kërkonte llogari atyre për kryerjen e detyrave.
Me datë 29.07.1972 emërohet zv.kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Krujë. Në janar–shkurt 1973, ndoqi kursin e Kryeministrisë. Në vitet 1973-1974, ndoqi studimet në shkollën e lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin”…
Me datë 20.02.1975 propozohet për kryetar kooperative në Nikël dhe menjëherë pas mbarimit të Shkollës së Lartë të Partisë, i ngarkohet detyra e Kryetarit të Kooperativës Bujqësore “Rexhë Deliu”- Nikël. Deri në këtë kohë kjo kooperativë shquhej për rezultate shumë të dobëta ekonomike-financiare por edhe për grindje, mëri, tarafe etj.
Gjatë periudhës që ka drejtuar këtë kooperative, ka punuar mirë jo vetem si organizator por dhe në drejtim të përpjekjes për kapjen dhe trajtimin e problemeve të ndryshme në kooperativë, qofshin ato sociale, probleme ekonomike, organizative, etj. Falë kësaj pune të madhe, kjo kooperativë nga viti në vit bëri hapa para, gjë që e tregoi rritja e prodhimeve bujqësore e blegtorale, duke u bërë e njohur në rrethin e Krujës dhe më gjerë. Gjatë kësaj kohe luftonte fort për të evituar të metat dhe dobësitë në punën e përditshme, duke qenë kërkues llogarie dhe duke bërë të gjitha përpjekjet për të realizuar detyrat e ngarkuara.
Shoku Jahja, kudo ku ka punuar e drejtuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, gjithnjë ka patur rezultate të larta. Si pasojë e punës së jashtëzakonshme, kooperativa ‘’Rexh Deliu’’- Nikël arriti rezultate shumë të mira në prodhimet bujqësore e blegtorale, ku për afro tre vjet radhazi realizon disa tregues dhe në disa të tjerë i afrohet realizimit të tyre. Jahja tregon cilësi të mira në marrëdhëniet me masat, tregohet komunikues, organizator, duke ndërtuar marrëdhenie të mira me vartësit dhe sidomos me specialistët, të cilëve u hapte horizonte për vënien e prodhimit mbi baza shkencore. Kjo çoi në prodhime të reja farërash elite të grurit, sojës, në përmirësimin racor të blegtorisë etj. Tregohet shumë kërkues ndaj vetes dhe vartësve, duke qëndruar në çdo kohë në krye të detyrës. Për këtë arsye në opinionin shoqëror, jo vetëm në kooperativë, por në të gjithë rrethin e Krujës arrin të gëzojë respekt dhe simpati.
Në maj të vitit 1980 Këshilli Popullor i Rrethit e zgjodhi Kryetar të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit dhe Pleniumi i Komitetit të Partisë e zgjodhi Anëtar të Byrosë së Partisë të Rrethit. Gjatë kësaj periudhe, shoku Jahja, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, bën përpjekje për të organizuar dhe drejtuar mirë punën e organeve të pushtetit dhe të ekonomisë nëpërmjet ndihmës e kontrollit, si dhe forcimit të kërkesës së llogarisë… Në të njënjtën kohë, në politikën me kuadrin specialist, bën përpjekje për të rritur nivelin tekniko-profesional të tyre, duke përgjithësuar përvojën e përparuar e nxitur debatin, për njohjen dhe korrigjimin e të metave, për plotësimin me sukses të detyrave. Tregon afërsi me masat, duke dëgjuar dhe zgjidhur në kohë kërkesat dhe ankesat e tyre. Ishtë parimor dhe i sinqertë në punë dhe marrëdhënie shoqërore, zhvillonte drejt kritikën dhe autokritikën. Ishtë i thjeshtë, i dashur dhe i respektueshëm për të gjithë.
Zgjedhësit e zonës elektorale Nr 117, duke vlerësuar punën dhe veprimtarinë e tij, e propozojnë kandidat për deputet në Kuvendin Popullor të RPSSH, duke qenë të bindur se do ti përfaqësojë denjësisht në këtë organ.
Detyrën si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv e mban deri me datë 31.05.1985. Në qershor të vitit 1985, emërohet Kryetar i Degës së Farërave, detyrë të cilën e kryen mirë. Ndërmarrja merr Flamur dhe Fletë Nderi dhe kjo i dedikohet punës së palodhur e të kujdesshme të tij, duke gëzuar respektin e të gjithë kolektivit. Tregohet komunikues me ekonomitë që merreshin me prodhimin e farërave.
Edhe këtu jep ndihmesën e tij, duke mobilizuar kolektivin dhe veçanerisht specialistët për të siguruar në kohë e me cilësi sasinë e nevojshme të farërave për Rrethin e Krujës dhe rrethet e tjera.Tregohet i apasionuar për të rejat e shkencës, duke u përpjekur të njohë mirë përvojën dhe eksperiencën e përparuar. Në kolektivin që drejton siguron një përpunim në kohë e me cilësi për manipulimin e farërave me analiza të plota laboratorike. Çdo vit Dega e Farërave realizonte dhe tejkalonte detyrat, duke u nderuar me Flamurin Tranzitor. Kjo dhe për aftësitë e tij të rralla drejtuese, organizuese e tekniko-profesionale. Edhe këtu gëzon respektin e tërë masës ku punon.
Në vitet 1988-1991 ka punuar si Kryetar i Kooperativës Bujqësore Borizane dhe Shef i Furnizimit në SMT Fushë –Krujë, ku edhe në këto pozicione ka lënë gjurmët e tij për t’u mbajtur mend.
Gjatë karrierës së gjatë drejtuese të tij, është dekoruar me Urdhëra dhe Medalje, ku vlejnë të përmenden ato të akorduara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor:
Medalje për punë të shkëlqyer në ekonominë Bujqësore, me motivacionin: “Për nder të 35-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut ka punuar me frymë revolucionare dhe është dalluar në plotësimin e tejkalimin e detyrave në sektorin ku punon, duke u bërë shembull edhe për të tjerët”.
Në vitin 1982, Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordon Urdhërin ‘’Flamuri i Kuq i Punës “ KLASI I PARË me motivacionin: “Ka punuar me ndjenjë të lartë përgjegjësie për plotësimin e tejkalimin e Planit të vitin 1982 në Drithërat e Bukës, duke përballuar me sukses vështirësitë e thatësirës së jashtëzakonshme të këtij viti’’.
Kush ka patur fatin ta njohë e të punojë me shokun Jaho, arrin në konkluzionin se Ai, do të përzihet me gjurmën e ndritshme të epokës së Socializmit, bën pjesë në brezin e artë që rindërtuan e ndërtuan vendin, duke e ngritur atë në majat më të larta të kohës… Ai bën pjesë tek ato njerëz, të cilët i nderojnë titujt, dhe jo titujt ato… I tillë ishte Jahja..!
Edhe pse kishte tërë ata funksione, vendoset në Fushë-Krujë, në një shtëpi të thjeshë përdhese në vitin 1968, e më pas në një apartament 2+1 në Krujë… Ai bashkë me shoqen e tij të jetës Hatijen, krijoi një familje tradicionale, mikpritëse, dhe kanë sjellë në jetë, rritur dhe edukuar gjashtë (6) fëmijë, të gjithë me arsim të lartë: Nazmiu – agronom; Lutfia – farmaciste; Medihaja – ekonomiste, (ndarë nga jeta në vitin 1988); Burhani – inxhinier ; Mehdiu – historian; Myzejeni – mjeke. Të gjithë me eksperienca dhe kontribute shume të vlefshme në fushat e tyre. Kudo ku kanë punuar dhe punojnë kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme, gjë që ka bërë që të gëzojnë respektin e të gjithë njerëzve.
Por …megjithë eksperiencat dhe meritat që kanë falë punës dhe formimit personal, në të shumtën e rasteve edhe në drejtim si dhe me moshën që ata kanë , “ankohen’’ se njerëzit vazhdojnë t’i thërrasin si : Vajzat e Jahos apo djemtë e Jahos. I tillë ishte Jahja …
Mehdiu (i biri) shton edhe një detaj interesant dhe shumë domethënës. Njëherë kur kishte shkuar për të marrë pjesë në një ceremoni mortore në Malësi të Krujës, njëri ndër burrat e shumtë që ishin të ulur në atë dhomë, e pyet për emrin e babës. Mehdiu i tregon:
–Jam djali i Jaho Kasemit.
Burri i mençur i thotë: – Ti e paske rrugën të vështirë, sepse do të të duhet të ruash përherë nderin dhe emrin e mirë të babës.
Shumë e bukur dhe e vërtetë kjo thënie. Krenari dhe përgjegjësi njëkohësisht..!
Dhe për hir të së vërtetës, pas viteve nëntëdhjetë duhet theksuar se: Mehdiu dhe Myzejeni, edhe pse kanë patur oferta të ndryshme joshëse, nuk janë tunduar.., por vazhdojnë me përkushtim e dinjitet të punojnë e kontribojnë në profesionet e tyre të nderuara në Krujë… Mehdiu për më shumë se një dekadë, vazhdon me përkushtim e profesionalizëm të drejtojë Muzeun Kombëtar “Gjergj Katrioti “Skënderbeu” Krujë, si dhe Muzeun Etnografik të këtij rrethi, dhe prej tij marrim mesazhin se: “Njerëzit që nuk dinë të respektojnë të kaluarën, historinë, personalitetet e popullit, dëshmorët e kombit që krijuan vlera… do të përfundojnë me turp”.
Ndërsa doktoreshë Myzejeni, heroinë e rezistencës “Covidjane”, falë punës së saj, edhe pse Kruja posedon shumë fasoneri dhe është shpallur “Zonë e Kuqe”, ka më pak viktima se rrethet e tjera… Dhe prej saj marrim mesazhin: “Atdheut dhe popullit nuk i shërbejnë të gjithë me të njëjtën mënyrë, por secili bën atë që di e ç’i ka dhënë natyra”…
Në vitin 1991 Jahja, doli në pension dhe banoi në qytetin e Krujës deri me datë 22 Qershor 2015, datë në të cilën ndërroi jetë. Jahja, në memorien e atyre që patën fatin ta njohin apo të punojnë me Atë, do ta kujtojnë si njeri me kulturë të gjerë, i thjeshtë, i çiltër, modest, mbartës i vlerave më të larta të zonës, me ndjenja të theksuara humane, patriotike e me një dashuri të madhe për punën, familjen, njerëzit e afërt, vendlindjen, Prezën ku lindi dhe hodhi hapat e para të udhës së jetës.
Edhe në pension jetoi me dinjitet, i nderuar dhe i respektuar nga komuniteti edhe pse kishin ndryshuar kohërat… E kujt nuk mund t’i shkojë më mirë shprehja se: “Kur frynë stuhitë, marrin me vete filizat e njomë, kurse lisat e moçëm qëndrojnë me kokën lart”. I tillë ishte dhe mbeti Jahja !
Njerëzit e mëdhenj si “Jahja Hafizi (Kasemi) krijojnë piedestalin e tyre; e ardhmja kujdeset për statujën…! Dhe urimi im për familjen Hafizi (Kasemi), ku lindi e u rrit Jahja është: Fara juaj u shtoftë e u shumoftë djalë mbas djali e brez mbas brezi!!!
Xhemal Shehu

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker